• Linjë kredie për SME

    Shpërndaje në:

    Linja e Kredisë prej 36 milion Euro, për të mbështetur me kredi me interesa të ulëta ndërmarrjet e vogla dhe të mesme shqiptare, me qëllim zhvillimin e tyre, do të përdoret për të financuar projekte të SME-ve, për investime, zgjerimin e biznesit ose për të përmirësuar teknologjinë.

    Linja e kredisë për SME-të parashikon dhënien e një norme interesi dhe një afati shlyerjeje më të favorshëm se ato të tregut për SME-të që duan të blejnë mallra dhe shërbime me origjinë italiane.

    Qasja në Linjën e Kredisë rregullohet nga bankat dhe institucionet financiare jo bankë që marrin pjesë në Program, dmth institutet kredidhënëse që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Huasë (On Lending Agreement) me MFE. Në këtë mënyrë, vlerësimi financiar i kërkesës për financim zhvillohet në autonomi të plotë nëpërmjet bankave pjesëmarrëse në program.

    Kush mund të aplikojë?

    Të gjitha subjektet: persona fizikë ose juridikë, të cilët zotërojnë ose përfaqësojnë ndërmarrje mikro, të vogla ose të mesme (SME) dhe që aktualisht ushtrojnë një aktivitet sipërmarrje ose që dëshirojnë të fillojnë një aktivitet (start-up) në Shqipëri.

    Kriteret e pranueshmërisë

    Për SME-të:

    • Shoqëria është e rregjistruar në Shqipëri;
    • Jo më pak se 51% e kapitalit të shoqërisë zotërohet nga shtetas shqiptar;
    • Qarkullimi vjetor jo më i lartë se 10 milion Euro;
    • Numri i punonjësve jo më shumë se 250.

    Kriteret e Kredisë për SME-të

    Vlera për projekt:

    • nga 50,000 Euro deri në  500,000 Euro.

    Qëllimi kredisë:

    • Jo më pak se 70% e  vlerës së financuar të projektit do të përdoret për blerje: makineri, pajisje, teknologji, asistencë teknike, licensa industriale, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe lëndë e parë me origjinë Italiane;
    • Jo më shumë se 10% e kredisë mund të përdoret për blerjen e lëndës së parë që lidhet me investimin kryesor;
    • Jo më shumë se 30% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale ose nga vende të tjera fqinje në zhvillim.

    Kriteret e Kredisë për Projektet e Vogla

    Vlera për projekt:

    • nga 15,000 Euro deri në  50,000 Euro.

    Grupi i synuar:

    • Ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme të krijuara rishtas (Startup) ose ekzistuese.

    Qëllimi kredisë:

    • Jo më pak se 40% e kredisë do të përdoret për blerje: makineri, pajisje, teknologji, asistencë teknike, licensa industriale, mirëmbajtje, pjesë këmbimi dhe lëndë e parë me origjinë italiane;
    • Jo më shumë se 60% e kredisë mund të përdoret për mbulimin e kostove lokale ose nga vende të tjera fqinje në zhvillim.

    Çfarë nuk mund të financohet?

    • Taksa lokale, taksa doganore, TVSH;
    • Investime në sektorin e kohës së lirë e zbavitjes (Lojëra Fati, Bare e Restorante), pasuri të patundshme, armatime, ilaçe dhe pije alkoolike, duhani dhe nënproduktet e tij, prodhimi i produkteve të ndaluara për importim dhe eksportim nga vendet e BE, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.

    Cilat janë kriteret e kredisë?

    Periudha e shlyerjes:

    • Nga 3 deri në 8 vjet.

    Periudha e faljes (grace):

    • Nga 1 deri në 2 vjet (gjatë kësaj periudhe paguhet vetëm interesi)

     

    Norma e interesit që aplikohet:

    • Maksimumi  deri në 3% interes vjetor për kreditë në Euro;
    • Maksimumi  deri në 4% interes vjetor për kreditë në Lek

     

    Cilat SME, Projekte dhe Sektorë janë prioritet i Programit?

    Ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme (SME) prioritare janë:

    • Ndërmarrjet e  Teknologjisë  së Informacionit dhe Komunikimit;
    • Ndërmarrjet në pronësi (të paktën 51%) ose që administrohen nga sipërmarrëse gra;
    • Ndërmarrjet e sektorit prodhues;
    • Ndërmarrjet eksportuese (eksport të paktën 50% i totalit të shitjeve);
    • Ndërmarrjet e krijuara rishtas nga emigrantë shqiptarë me banim në Itali.
    • Ndërmarrjet në zona/parqe industriale;

    Projekte/ Sektorë prioritarë janë:

    • Projekte investimi në Teknologjinë  e  Informacionit dhe Komunikimit;
    • Projekte në sektorin e agrokulturës dhe agroushqimor;
    • Projekte që realizojnë prodhim të pastër me impakt të ulët në ambient;
    • Projekte që krijojnë vende të reja pune;
    • Projekte për prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme;
    • Projekte për promovimin e ruajtjes së efiçencës së energjisë;
    • Projekte të lokalizuara në zonat më pak të zhvilluara të vendit (jashtë zonës Tiranë-Durrës)

    Cilat janë përfitimet e Projekteve Prioritare?

    Projekti i vlerësuar prioritar, përfiton:

    • 2 vjet periudhë “Grace”, mospagim të principalit (paguhet vetëm interesi);
    • Mbulim me garanci, nga Fondi i Garancisë deri në 60% të shumës së kredisë së kërkuar.